Seanca plenare e cila u shty për në orët e pasdites për shkak të ceremonisë së lamtumirës të Kryepeshkopit Anastas Janullatos nisi me një minut heshtje në nderim të hirësisë së tij.
“U prehtë në paqe e përjetësi”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali.
Edhe pse nuk ishte në rendin e ditës debati që dominoi seancën për ndryshimet e ligjit elektoral të depozituara nga KQZ në Kuvend. Demokratët kanë kërkuar edhe në parlament që socialistët të pranojnë amendimet e tyre për kodin zgjedhor që parashikon që të votohet edhe nga emigrantët që nuk kanë asnjë dokument biometrik shqiptar pasi në të kundërt nuk do të votojnë ndryshimet e tjera për të cilat kanë rënë dakort më parë.
“Nëse nuk keni frikë dhe tmerr nga vota e shqiptarëve të votojnë shqiptarët jashtë vendi me çdo dokument biometrik që disponojnë”, tha lideri demokrat Sali Berisha.
“Kushtetuta nuk kërkon dokument identiteti për të votuar, thotë kush është shtetas shqiptar, është 18 vjeç voton”, tha Oerd Bylykbashi.
Por socialistët e shohin si alibi për ta dështuar votën e emigrantëve, kushtin e demokratëve.
“Nuk e bën asnjë vend, nuk bëhet dot. Është e paligjshme. Minimalisht po ju gënjejnë”, tha Balla.
“Të pranohet votimi pa asnjë dokument identifikimi këtë edhe ju vetë nuk e besoni dhe mua më vjen keq se mos është ky një sebep për ta hedhur në erë fare këtë proces”, theksoi Niko Peleshi.
Debate pati dhe për kalendarin e Kuvendit pasi sipas demokratëve, shumica po fut në rendin e punimeve projekligje me efekte elektorale. Ndërkohë që kryedemokrati përsëriti dhe në parlament kërkesën ngritjen e komisionit hetimor të së vërtetës që sipas tij do zbuloi të vërtetën për lidhjet e krimit me Politikën.
Tv Klan