Aksidentet me emigrantë të parregullt në vendin tonë janë regjistruar edhe më herët. Pak ditë më parë në vendin e quajtur “Gurorja” në fshatin Verdovë, Pogradec, një shtetas italian duke drejtuar një mjet tip Volvo në të cilin ndodheshin 13 klandestinë u përplas, por fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.
58-vjeçari italian për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale, u largua nga vendi i aksidentit, por u kap më vonë nga policia. Pavarësisht shifrave në rënie ndër vite, transportimi i emigrantëve të parregullt vijon të jetë problem shqetësues. Gjatë këtij viti janë ndaluar nga policia 165 shtetas të huaj të cilët kanë kaluar kufirin në mënyrë të parregullt. Ata u transportuan nga 21 persona. 17 prej tyre janë arrestuar, 3 janë shpallur në kërkim dhe një tjetër është proceduar penalisht për trafikim të klandestinëve.
Gjatë vitit të shkuar janë kapur 6,624 klandestinë në total, një pjesë e tyre përsëritës, të cilët kaluan kufirin dy herë, por u ndaluan nga policia. Në 2022 policia kapi mbi 12 mijë shtetas të huaj imigrantë të parregullt, ndërsa në 2021 mbi 18 mijë.
Ajo që bie në sy është që krahas emigrantëve nga vendet e Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme, janë konstatuar edhe shtetas të huaj nga India dhe Nepali. Trafikantët për t’i transportuar kishin zgjedhur që transportin ta kryejnë edhe me makina të shtrenjta siç është një rast me Audi Q7, Volkswagen apo dhe Volvo.
Gjithashtu një tjetër rast u zbulua duke u transportuar edhe me taksi. Shumica nga emigrantët e parregullt synojnë të largohen nga Shqipëria drejt vendeve të BE. Kryesisht synojnë të kalojnë në doganën e Hanit të Hotit drejt Malit të Zi apo Morinës në Kosovë, dhe më pas drejt Bashkimit Evropian.
Klan News