Mesnatën e shkuar përfundoi afati i dorëzimit të listave të kandidatëve nga subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 8 Majit në Maqedoninë e Veriut.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Shkup bëri të ditur se brenda këtij afati 17 parti dhe koalicione paraqitën listat shumëemërore të kandidatëve, duke plotësuar kështu kriteret për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Vlen të theksohet se prej tyre, 13 parti politike dhe koalicione kanë dorëzuar lista në të 6-të Njësitë Zgjedhore, mes tyre edhe “Fronti Evropian” dhe koalicioni “VLEN” i shqiptarëve.
Krahas zgjedhjeve parlamentare, Maqedonia e Veriut do të votojë më 24 Prill në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas ligjit zgjedhor që këto zgjedhje të jenë të vlefshme duhet të marrin pjesë të paktën 40 për qind e shtetasve me të drejtë vote.
Ndërkohë që një kandidat për president që të shpallet fitues duhet të marrë më shumë se 50 për qind të votave. Në të kundërt do të mbahet një raund i dytë votimesh, cili është parashikuar të zhvillohet në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare.
Fushata për zgjedhjet presidenciale nis këtë të enjte, ndërsa ajo për zgjedhjet parlamentare më 18 Prill. Në zgjedhjet e dyfishta janë ftuar të marrin pjesë rreth 1 milionë e 815 mijë shtetas me të drejtë vote.
Tv Klan