Ishte një takim maratonë që do të kushtojë shumë: Komisioni për Buxhetin në Bundestag u takua për shtatëmbëdhjetë orë e gjysmë, për të hartuar projektbuxhetin e vitit 2021. Propozimi tani është gati.
Koalicioni i madh dëshiron të marrë gati 180 miliardë euro borxhe të reja gjatë vitit të ardhshëm. Si pasojë e krizës së Coronës për shëndetësi, transport dhe infrastrukturë nevojiten shumë më shumë para sesa ishte planifikuar: Kështu vendosi Komisioni për Buxhetin në Berlin.
Në buxhetin federal për vitin 2021 do të ketë 498,6 miliardë euro – që është një dallim shumë i vogël krahasuar me këtë vit kur për shkak të pandemisë është vendosur me procedurë të përshpejtuar që të financohen programe të shumta të ndihmave në vlerë prej dhjetëra e qindra miliarda euro. Bundestagu duhet ta miratojë këtë dokument në javën e dytë të dhjetorit.
Gati 40 miliardë Euro ndihma të përkohshme
Gjatë konsultimeve 17-orëshe është vendosur që të bëhen ndryshime të shumta nga buxheti i propozuar prej ministrit të Financave Olaf Scholz (SPD) në shtator. Ky propozim parashikonte 96,2 miliardë borxhe të reja. Por në fillim të kësja jave ishte e qartë se për shkak të lockdown-it të pjesshëm në nëntor dhe dhjetor, do të duhen edhe borxhe të reja për të tjeklauar këtë gjendje. Tani flitet edhe për 39,5 miliardë euro të tjera, si ndihma të përkohshme për sipërmarrjet. Ndërsa për vaksinën kundër virusit Corona do të nevojiten të paktën edhe 2,7 miliardë euro.
Shuma të mëdha do të ndahen edhe për lehtësimin e gjendjes në buxhetet familjare. Vitin e ardhshëm ato nuk do të paguajnë taksat për solidaritetin – që është ulja më e madhe e tatimeve vitet e fundit. Përveç kësaj, familjet për çfo fëmijë do të marrin edhe 15 euro shtesa në muaj. Për të gjithë taksapaguesit do të rritet shuma e të ardhurave, për të cilat nuk nevojë të paguhen tatime.
Kalimi i sigurt i pandemisë
Buxheti i vitit 2021 është tërësisht nën hijen e pandemisë Corona, thotë eksperti i Unionit CDU/CSU për buxhetin, Eckhardt Rehberg. “Borxhet e larta janë të nevojshme për ta kaluar vendin tonë në këtë pandemi shekullore.” Kjo nënkupton shkeljen e rregullave për mosfutjen në borxhe. Por edhe niveli i borxheve federale ka një kufi, theksoi Rehberg.
Eksperti i ekologjistëve për buxhetin, Sven-Christian Kindler po ashtu thotë se marrja e borxheve të reja është politikë e mirë. Por buxheti i koalicionit të madh dëshmon një çekuilibrim shoqëror dhe lë të papunët si dhe sipërmarrësit private në shi. Investimet për industrinë ekologjike janë tepër të ulëta. Në vend të kësaj, qeveria federale po shpëton koncernet e mëdha që fitojnë para me lëndë djegëse fosile.
Eksperti liberal Otto Fricke kritikoi vendimin për marrjen e kredive të larta. Partitë në pushtet do të merrnin dy herë më shumë borxhe sesa ishte e nevojshme. Fricke kritikoi koalicionin. Ai thotë se kurrë më parë nuk janë marrë kaq shumë borxhe në një kohë kaq të shkurtër./DW