Qytetarët maqedonas, por edhe shqiptarët që jetojnë në këto treva ditën e sotme, u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur presidentin dhe qeverinë e re. Data 8 Maj shënon mbajtjen e dy palë zgjedhjeve pasi po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe ato parlamentare. Formimi qeverisë së re do të formohet nga partia fituese, e cila do të arrijë të sigurojë 61 votat e nevojshme.
Dilemat për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të shumta, por së tepërmi është diskutuar edhe ndikimi që do të kenë partitë shqiptare. Prej vitesh shqiptarët janë përpjekur të ruajnë identitetin e tyre në trevat e Maqedonisë së Veriut dhe të arrijnë të sigurojnë poste në sferën politike të vendit. Në një intervistë për Klan News ku në qendër të diskutimit ka qenë situate aktuale në RMV, analisti Ben Andoni shprehet se partia VMRO-DPMNE ka dashur gjithmonë që t’i ketë shqiptarët krah saj.
“Që në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes nga Xhaferri dhe nga përfaqësuesi tjetër që në atë kohë Maqedonia e Veriut ka marrë një drejtim krejt tjetër për sa i përket integrimeve. VMRO-DPMNE-ja sado që ka mbajtur qëndrim jo të mirë ndaj shqiptarëve, shqiptarët gjithmonë i ka kërkuar t’i ketë në krah sepse me anë të zotit Ahmeti dhe pak të tjerëve kanë zbutur përplasjet teknike dhe zoti Ahmeti ka bërë diçka që nuk e ka bërë asnjë politikan tjetër në Maqedoninë e Veriut, po shmang një moment korrupsioni ku partia e tij është jashtëzakonisht fajtore. Zoti Ahmeti jo vetëm e ka maturuar mirë partinë, por gjatë kohës së tij si kryetar partie ka nxjerrë dy individë të jashtëzakonshëm përveç ministrave, nxori zotin Talat Xhaferri që kapi dy poste të larta, kryeministri ekzekutiv ishte vetëm për këtë qeveri, por gjithsesi ishte post, do shënohet, s’kishte ndodhur, por ishte në marrëveshjen paraprake dhe zotin Osmani që është një përfaqësim dhe një burokrat i mrekullueshëm për Maqedoninë e Veriut, unë uroj që ta kishte Shqipëria atë. Ndërkohë që vetë asnjëherë nuk ka kërkuar ose ka dashur krejt ndryshe nga kryetarët e partive tona qoftë të mëdhaja, qoftë të vogla, që të jetë ai protagonist. Ishte ai protagonist nga mbrapa, ishte ai që konfiguronte qeveritë në Maqedoninë e Veriut,” shprehet analisti.
Pavarësisht aspektit pozitiv analisti nuk lë pa përmendur edhe faktin se shumë shqiptarë kanë qenë të përfshirë në shumë afera korruptive sidomos të LDSM-së. Ai gjithashtu thotë se shqiptarët që kanë patur ndikim në politikë duhet të kishin rritur numrin e investimeve kryesisht në zonat shqiptare.
“Dhe për hir të së vërtetës politikisht shqiptarët janë rritur dhe këtë nuk mund ta mohojmë, por për fatin e keq janë bërë pjesë e korrupsionit shumë të madh të LSDM-së dhe më vjen keq edhe për diçka tjetër, qoftë zoti Ahmeti, qoftë të tjerë që kanë pasur pjesë më të vogël do të mendonin shumë që kahun e investimeve në Maqedoninë e Veriut një pjesë të çonin në zonën shqiptare. Vetëm t’u them një element, në kohën e Ish-Jugosllavisë, Tetova ka qenë një nga qytetet më interesante të Ish-Jugosllavisë për investime, ka pasur industri të madhe. Tetova tani është gati një qytet fantazmë,” përfundon Andoni./tvklan.al