Në 14-vjetorin e ngjarjes tragjike të “21 Janarit”, ashtu si çdo vit janë përkujtuar katër protestuesit e opozitës së asaj kohe që mbetën të vrarë.
Përveç familjarëve të viktimave, të pranishëm janë edhe përfaqësues të qeverisë. Mes tyre, është edhe Zv.kryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
Ata kanë vendosur lule në Bulevardin përballë Kryeministrisë në kujtim të viktimave. Ndërkohë, Kryeministri Rama i ndodhur në Davos për Forumin Ekonomik, ka kujtuar protestuesit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku bën thirrje për drejtësi.
“21 Janar. Drejtësia vonon po nuk harron, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 Janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë”, shkruan Kryeministri Rama.
Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua nga opozita e asaj kohe përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”./tvklan.al