Vendimin e SPAK-ut për të zbritur në terren prokurorët si pjesë e një task forcë me fokus krimin zgjedhor Edi Rama në rastin më të mirë e quan lajthitje, pasi sipas tij kjo është ndërhyrje dhe shkelje e të drejtave të përfaqësueseve të forcave politik, por dhe vete zgjedhësve.
“Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre”, shprehet Rama.
Në bashkëbisedimin e paradites me ndjekësit e tij Kryeministri siguron se e ka seriozisht angazhimin për të kërkuar standardet themelore të drejtësisë nga SPAK-u të cilin e akuzoi se po lë fajtorët e 21 Janarit në liri.
“Fajtorët e 21 Janarit i nxjerr SPAK-u dhe Gjykata Speciale, nuk i nxjerr qeveria, Vjosa. A më kupton? Kështu që kur thua, nuk e ka me të vërtetë, unë e kam aq me të vërtetë, saqë mesa shoh, ty dhe shumë të tjerëve si ty, nuk ju a rrok as mendja sa me të vërtetë e kam këtë punë”, thekson Kryeministri.
Përsëri tha se disa shkelje standardesh nga ana e Strukturës së Posaçme kanë kohë që kanë nisur të bëhen shqetësuese, por kanë ndjekur parimin e heshtjes strategjike për këtë institucion të ri.
“Ka pasur momente që jemi skandalizuar, por ama kemi shtrënguar dhëmbët, kemi qepur gojën dhe kemi thënë: drejtësia të vazhdojë punën e vet, respektimi i standardeve demokratike i një drejtësie europiane që nuk mund të justifikojë qasje dhe metoda të sigurimit të shtetit është një tjetër betejë për t’u bërë, por ama në mënyrë konstruktive. Si aleatë dhe partnere të drejtësisë, pushtete të ndara. Dhe patjetër dhe në mënyrë shumë të vendosur sepse nuk mund dot të cënohen të drejtat e pushtetit ekzekutiv, nuk mund dot të cënohen të drejta për të marrë vendime, nuk mund dot të trysnohet administrata e shtetit, punonjësit e shtetit. Nuk mund dot të paragjykohen”, thotë Rama.
Kryeministri thotë se bashkë me pranverën dhe bonusin e pensionistëve që do nis të shpërndahet nga 1 Maj do të vij dhe hapja zyrtare e tunelit të Murrizit
“Po shkojmë drejt përfundimit pas një riarmatimi me një teknologji tjetër”, tha Rama.
Kur e pyesin se çfarë do të bëj në 15 Maj i cili përkon dhe datën kur rezultati votave të hedhura në kutitë e votimit të dielën e 11 Majit të jetë përfundimtar, duke nënkuptuar humbjen Rama përgjigjet.
“Faktikisht, unë në 15 Maj do të pres, se bie tamam data në fakt se nuk e di, ti e ke shkruajtur rastësisht, unë do të pres liderët e 47 vendeve, 46 vendeve dhe 8 të tjerë të organizatave të mëdha ndërkombëtare nga Bashkimi Europian, tek NATO që do të vijnë të tërë në Shqipëri”, tha kreu i qeverisë.
Bashkëbisedimi “Sy m’Sy” lajmëron se do të intesifikohet me afrimin e zgjedhjeve që siguron që do jetë një fitore e padiskutueshme.
“Do ta tundim dhe do kemi një fitore spektakolare edhe do t’i japim një mësim shembullor shumëkujt. Doni apo nuk doni Edi Ramën, doni apo nuk doni qeverinë e Partisë Socialiste, kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është “thajeni kënetën”. Çdo gjë përveç kënetës, çdo kush përveç kënetës, ok? Shumëkujt do t’i japim një mësim shembullor, por gjithmonë jo për të marrë hak me askënd, po për të bërë një Shqipëri më të mirë dhe për ta çuar atë flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit atje në rreshtin e 27 vendeve. Albania for ever!”, shprehet Rama.
Tv Klan