Arrin në 24 numri i viktimave nga zjarret që kanë shkrumbuar lagje të tëra në veri të Los Angeles, teksa autoritetet paralajmërojnë rëndimin e bilancit. Ekipet e emergjencës flasin për dhjetëra të zhdukur në zonat e përpira nga flakët.

Vatrat e lagjes Palisades dhe Eaton vijojnë të jenë aktive në pjesën më të madhe të tyre. Zjarrfikësit janë në luftë me kohën për t’i vënë ato nën kontroll, pasi sipas parashikimeve të motit pritet që të Martën dhe të Mërkurën të ketë një tjetër fuqizim të erërave, çka mund të zgjerojë hartën e përhapjes së flakëve. Drejtimi i erërave pritet t’i shtyjë ato drejt lagjeve të tjera Brentwood, Encino e Westwood, ku është kërkuar evakuimi i 100 mijë banorëve.

Deri më tani flakët e mëdha kanë djegur një sipërfaqe prej më shumë se 161 kilometrash katrorë, ku janë djegur mbi 12 300 ndërtesa. Guvernatori i Kalifornisë shpalli gjendjen emergjencës shëndetësore në Los Angeles, pasi tymi i përhapur nga flakët mund të shkaktojë dëme afatgjata në shëndetin e 3.8 milionë banorëve. Sipas Guvernatorit, këto zjarre mund të jenë më të rëndat në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Tv Klan