Blerim Gjoci, regjisori shqiptar me banim në Los Angeles ka rrëfyer momentin kur ka dalë nga shtëpia e tij dhe ka parë flakët e zjarrit që ishin përhapur me shpejtësi të madhe.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Gjoci i përshkruan ata pamje si apokaliptike teksa thotë se ju erdhi urdhri për evakuim nga shtëpitë.
Më tej, regjisori tregon se u mblodhën në një kafene të gjithë shqiptarët që banonin aty pranë.
Blendi Fevziu: Ti vetë ku banon?
Blerim Gjoci: Unë banoj këtu në Hollywood Hills, afër shenjës së Hollywoodit. Ne e kishim rrezikun e parë natën e dytë dhe kur ne dolëm nga shtëpitë qielli ishte skuqur, ishte si një lloj ferri, si një pamje apokaliptike. Njerëzit me shumë dispilinë filluan të dilnin jashtë dhe ne dolëm bashkë me ta sepse na erdhi urdhër për evakuim. Zbritëm në Hollywood Bulevard ku kemi një kafene dhe u mblodhëm të gjithë shqiptarët nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia, disa dhe nga Stambolli.
Blendi Fevziu: Mirë shqiptarët u mblodhën në kafene sepse bëjnë muhabet me njëri-tjetrin, po amerikanët ku u mblodhën?
Blerim Gjoci: Amerikanët shkuan në qendra evakuimi dhe kryesisht ja mësynë plazheve që t’i afrohen ujit.
Blendi Fevziu: Domethënë edhe në rrezik ne mblidhemi në kafene që të jemi më të mbrojtur se sa në qendra…
Blerim Gjoci: E kemi në gen, çfarë të them. (Qesh)
/tvklan.al