Një 27 vjeçar rënë nga kati i katërt i një pallati në Vlorë ditën e djeshme. Policia ka vënë në pranga administratorin e firmës që po kryente punimet, ndërkohë ka nisur procedimi penal edhe për inxhinierin.

Sipas njoftimit zyrtar të bluve, dyshohet se i riu ka rënë aksidentalisht teksa po përdorte një makineri për të cilën nuk ishte i trajnuar. Aktualisht, ai ndodhet në spitalin e Traumës, ndërsa nuk dihet ende si është gjendja e tij shëndetësore.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për rënien e një punëtori nga kati i katërt i një pallati në ndërtim, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin L. C., 42 vjeç, banues në fshatin Babicë e Vogël, me detyrë administrator i firmës që po kryente punimet për ndërtimin e këtij pallati, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. G., 70 vjeç, me detyrë inxhinier zbatues në këtë firmë. Nga veprimet hetimore dyshohet se punëtori, shtetasi A. Sh., 27 vjeç, ka rënë aksidentalisht nga kati i katërt i pallatit në ndërtim, gjatë përdorimit të një makinerie për të cilën nuk ishte i trajnuar. 27-vjeçari po merr mjekim në Spitalin e Traumës”, thotë Policia.

/tvklan.al