AESO: Shqiptarët të parët në Ballkan për të emigruar
Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në një nga vendet europiane ka pësuar rritje në raport me një vit më parë. Sipas Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilit që ka bërë publike statistikat, në 6 muajt e parë të vitit 2019, 10.439 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo shifër është 29.3 % më e lartë. Në raport thuhet se shqiptarët janë të parët në Ballkan që kërkojnë të emigrojnë. Vetëm në muajin Qershor kishte gjithsej 1.787 aplikime nga Shqipëria, nga të cilat 1.576 ishin për herë të parë. Referuar të dhënave të raportit, në vitin 2015 u konstatua një rritje e ndjeshme e kërkesave për azil nga shqiptarët, duke arritur në total në rreth 69 mijë, nga 17 mijë vitin e mëparshëm.
Më pas numri i tyre erdhi duke u ulur, për të arritur në 19 mijë në vitin 2018-të. Prej Gushtit të 2017-tës pala shqiptare ka shtuar masat për të frenuar fenomenin e azilit, por për autoritetet e huaja ky fenomen mbetet sërish shqetësues. Pothuajse të gjithë diplomatët e huaj që kanë vizituar Tiranën u kanë bërë thirrje autoriteteve të ulin emigracionin e paligjshëm. Në 8 Prill të këtij viti gjatë një vizite në Tiranë të ministrit të Migracionit holandez, kërkoi nga shqiptarët të mos aplikojnë për azil pasi nuk do e përfitojnë.
Ndërsa më 21 Maj Komisioneri i Bashkimit Europian për Migrim dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos ditën që u firmos edhe marrëveshja me agjensinë FRONTEX u shpreh se shqetësim kryesor mbetet emigracioni i paligjshëm.
Shqipëria është vendi i parë jashtë kufijve të BE që bashkëpunon me agjencinë e ruajtjes së kufijve me qëllim parandalimi i emigracionit të paligjshëm apo udhëtimin drejt vendeve të BE me qëllim përfitimin e azilit. Kërkesë të vazhdueshme për frenim të azilantëve kanë bërë edhe autoritetet franceze dhe ato gjermane, dy vendet me numrin më të lartë të kërkesave për azil nga shqiptarët.
Tv Klan