Inteligjenca ushtarake e Ukrainës dhe Pentagoni kanë bërë të ditur se trupat ukrainase kanë vrarë dhe plagosur në betejë trupa të Koresë së Veriut që luftojnë përkrah forcave ruse në rajonin kufitar të Rusisë, Kursk.

Sipas inteligjencës ushtarake të Ukrainës, njësitë e ushtrisë së Koresë së Veriut kishin pësuar humbje të konsiderueshme me të paktën 30 ushtarë të vrarë dhe të plagosur në rajonin Kursk, pranë fshatrave Plekhovo, Vorobzha etj.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder mbështeti pretendimin e ushtrisë ukrainase, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kishin gjetur “indikacione” se trupat e Koresë së Veriut ishin “vrarë dhe plagosur” në luftime në Kursk.

Kremlini ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare. Sipas inteligjencës koreano-jugore, amerikane dhe ukrainase, rreth 11,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi për të luftuar në vijën e frontit kundër forcave ukrainase. Shumica e trupave të Koresë së Veriut janë dislokuar në rajonin Kursk të Rusisë, i cili ka qenë nën kontrollin e pjesshëm të Ukrainës që nga inkursioni i papritur i Kievit në territorin rus në gusht.

Analistët thonë se trupat e Koresë së Veriut përballen me sfida të mundshme, duke përfshirë mungesën e përvojës luftarake dhe barrierat gjuhësore. Vendosja e tyre e raportuar nuk është pranuar zyrtarisht nga Peniani apo Moska, megjithatë, të dy vendet kanë thelluar hapur lidhjet e tyre ushtarake muajt e fundit. Edhe më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se rusët kishin filluar të përdorin një numër të rëndësishëm ushtarësh në sulmet në Kursk.

Një traktat historik i mbrojtjes reciproke, i nënshkruar për herë të parë në Penian më 19 qershor gjatë vizitës shtetërore të presidentit rus Vladimir Putin, i detyron të dyja vendet të ofrojnë ndihmë të menjëhershme ushtarake për njëri-tjetrin.

Klan News