Teksa ndodhet me pushime në Dhërmi, kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë përmes një videoje të postuar në rrjetin e tij social në “Facebook”. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet. Madje, Rama u shpreh se këtë Korrik është thyer dhe një rekord, ai i hyrjeve në një ditë të vetme – 44 mijë. Në deklaratën e tij, një mesazh pati dhe për të gjithë skeptikët për ecurinë e turizmit në vend gjatë këtij sezoni.
Edi Rama: Disa ditë pushim, si prej 10 vjetësh këtu në Dhërmiun magjik. Mbrëmë mora të dhënat e hyrjeve në Shqipëri vetëm nga aeroporti Nënë Tereza dhe kufiri i Morinës dhe m’u duk e udhës që t’i ndaja me ju. Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet. Madje këtë Korrik është thyer dhe një rekord, ai i hyrjeve në një ditë të vetme – 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në 24 orë, një volum i paimagjinueshëm deri pak vite më parë.
Për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë “u zbraz Shqipëria nga shqiptarët dhe nga turistët” sepse aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit evropian për rritje relative me vitet paraardhëse. Në vlerë absolute, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë, aeroportin e Beogradit. Edhe shifrat e hyrjeve në Morinë tregojnë se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se vjet, ndërsa në Korrik 3 mijë më shumë se Korrikun e shkuar. Edhe ajo teoria keqdashëse për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë është një 0 me xhufka.
Nga ana tjetër, janë shifrat e të ardhurave nga doganat dhe tatimet që edhe ato janë me rritje krahasur me vjet sepse ka një rritje konsumatorësh, më shumë njerëz që shpenzojnë në Shqipëri. Pushime të mbara dhe askush të mos mendojë se nuk mbajmë shënime për të nxjerrë mësime dhe nga ky sezon që është shumë i mbarë, por ka plot gjëra për të korrigjuar që në sezonin e ardhshëm të kemi më shumë cilësi dhe mbarësi sepse maja e Shqipërisë 2030, është gjithmonë e më afër, por për ta arritur, është një sfidë që duhet përballur me shumë durim, por me një bindje absolute se Shqipëria do të jetë kampione absolute e turizmit në rajonin tonë.
/tvklan.al