Një përfaqësi e banorëve të Hotit në Njësinë Administrative Rrethina kanë protestuar para OSHEE Shkodër pasi prej disa netësh kanë ndërprerje të energjisë elektrike gjatë mbrëmjes. Ato kanë mbajtur një takim me dyer të mbyllura me përgjegjës të këtij institucioni ndërkohë që në dalje nga takimi u shprehen të pakënaqur me sqarimin.
“Tash 4 net nuk kemi drita. Vijnë 1 orë e fikin, ne jemi padrita sikur të jemi në Mesjetë. Se kush merret me këto drita nuk e dimë. Kur vjen, vjen shumë i dobët korrenti. Nuk punojnë pajisjet se është korrenti i dobët. Drejtori nuk del, është brenda apo jo nuk e dimë.Ne kemi ardhur të takojmë drejtorin se elektricista ka plot rrugës. Jemi pa drita, kemi ardhur për t’u ankuar. Nesër bllokojmë rrugën. Të na zgjidhin problemin. Kështu s’ka bërë vaki”, tha një qytetar.
Janë rreth 400 abonentë që kanë stakim të energjisë, por OSHEE jashtë kamere mohon që e bëjnë ata stakimin. Sipas tyre zona ka dhe transformator privat dhe një defekt i paidentifikuar në njërin prej tyre në kohën e ngarkesës së rrjetit stakon të gjithë energjinë e zonës të cilët punonjës të OSHEE përpiqen çdo nate ta risjellin./tvklan.al