4 shoferë humbën kontrollin e mjeteve të tyre në 4 raste të ndryshme në Fier, duke çuar në dëmtimin e 3 personave në total. Në një njoftim për mediat, policia tha se kishte arrestuar një 65-vjeçar nga Divjaka, i cili teksa lëvizte me motor i dehur dhe pa patentë doli nga rruga. Nga ngjarja mbeti edhe vetë i plagosur.
“Policia Rrugore arrestoi shtetasin B. Xh., 65 vjeç, banues në Divjakë, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, një motomjet pa targa, ka humbur kontrollin dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti u dëmtua shtetasi B. Xh., i cili u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore”.
3 shoferët e tjerë u proceduan penalisht. Edhe në këto raste, të 3 humbën kontrollin e mjeteve të tyre dhe dolën nga rruga.
“Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: -U. K., 33 vjeç, banues në Mbrostar Ura, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale;
-V. V., banues në fshatin Hasturkas, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa targa, ka humbur kontrollin dhe motomjeti ka dalë nga rruga. Shtetasi V. V. u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore;
-G. C., 48 vjeç, banues në Vlorë, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar 1 pasagjer, i cili u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore”, thotë policia e Fierit në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al