“Rritja vjetore prej 30% e numrit të aksidenteve rrugore në vitin 2024 ka shtuar shpenzimet totale të kompanive të sigurimeve për dëmet materiale dhe ato shëndetësore të palët e treta. Megjithatë dëmi mesatar i paguar nga sigurimi i detyrueshëm motorik është ulur”, raporton gazetarja Dorina Halili.
Sipas të dhënave të AMF-së shuma e paguar për dëmet e shkaktuara nga aksidentet arriti në 4.27 miliardë Lekë, duke shënuar një rritje prej 26% në krahasim me vitin e kaluar.
Ndërsa shuma totale që qytetarët kanë paguar për sigurimin e mjeteve brenda vendit gjatë vitit 2024 arriti në 12.6 miliardë lekë, 9% rritje në krahasim me vitin 2023.
Bazuar në këto të dhëna raporti mes dëmeve të paguara bruto dhe primeve të shkruara bruto është rritur në 34% nga 29%. Kjo do të thotë se më shumë të ardhura nga primet kanë shkuar për kompensimin e dëmeve.
Megjithatë, ndonëse shpenzimet totale janë rritur, dëmi mesatar i paguar nga sigurimi i detyrueshëm motorrik ka pësuar një ulje të dukshme, prej 7% duke arritur në 156 mijë lekë, nga 168 mijë lekë që ishte në vitin 2023.
Nga ana tjetër dëmet për aksidentet jashtë vendit janë bërë më të mëdha. Në vitin 2024 për çdo dëm individual, është paguar mesatarisht 892 mijë Lekë, një rritje me 68%.
Tv Klan