Dyshohet se atentati u krye nga vrasës me pagesë
Mbi 40 persona, mes të cilëve edhe dëshmitarë, janë shoqëruar mbrëmjen e së hënës nga Policia e Durrësit, si pjesë e hetimeve për të hedhur dritë mbi atentatin ndaj Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiut.
Ata ndodheshin pak metra larg servisit të 35-vjeçarit Shkoza, ku u qëlluan për vdekje me breshëri kallashnikovi. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se fillimisht mes autorëve, që ndodheshin në një autoveturë dhe 24-vjeçarit Anxhelo Avdiut u zhvillua një debat.
Kur i riu u kërkoi të largohen, ata qëlluan në drejtim tij disa herë. Pas krimit, autorët u larguan në drejtim të Kavajës. Makina e tyre me targë AA 693 ZE, u gjet e djegur në vendin e njohur si Bishti i Zhurit.
Automjeti rezulton i vjedhur në Rrogozhinë, një fakt ky mbi të cilin policia ka ngritur dyshimet për një atentat të mirëmenduar. Dyshohet se autorët janë vrasës me pagesë, por motivi i krimit mbetet i paqartë.
Për të përcaktuar pistat po shqyrtojnë aktivitetin e viktimave dhe po analizojnë të gjithë thirrjet telefonike në numrat e tyre, me qëllim gjetjen e ndonjë indicie drejt zbulimit të autorëve.
24-vjeçari Anxhelo Avdia sapo kthyer ishte kthyer nga Anglia ndërsa Dorjan Shkoza ishte një person me precedent të mëparshëm penal dhe i dënuar më herët për trafikim të lëndëve narkotike dhe i liruar në vitin 2010.
Tv Klan