Rrëfimi i historive në “Ka Një Mesazh Për Ty” ka përfunduar dhe është momenti që Misheli dhe Erioni, dy vëllezërit, të shohin njëri-tjetrin për herë të parë. Erioni është vëllai biologjik i Mishelit të cilin 44 vite më parë, për shkak të rrethanave, nëna e tyre u detyrua ta linte në maternitet.
Ekrani në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan shfaq imazhet e dy vëllezërve që deri më tani nuk kanë ditur asgjë rreth ekzistencës së tjetrit.
Ardit Gjebrea: Nëna jote jeton. Do të shkosh ta përqafosh. Ka kaluar një sëmundje shumë të rëndë. Është operuar. Është në shtëpi, e pamundur që të vinte. Ne sigurisht kur i çuam mesazhin nuk i treguam se për çfarë bëhej fjalë dhe ajo nuk u ngrit dot. Në momentin që ikën gazetarët tanë, ajo thërret Mishelin dhe i thotë “bir, eja këtu”. Për motive që ajo do të t’i thotë vetë, pasi ti linde, ajo të mbajti disa ditë, do të të tregojë historinë përse nuk mundi të të mbante dot, të puthi në ballë, të uroi jetë të gjatë dhe të la në maternitet.
Pas disa kohësh shkon kudo për të të kërkuar, donte që të ishte me ty dhe i thanë që ti nuk jeton më dhe ajo gjithë jetën ka jetuar me pengun që djali im nuk jeton më. Në momentin që gazetarët tanë shkuan dhe i thanë “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo thërriti Mishelin dhe i tha “ky është djali im, djali im nuk ka vdekur, jeton, prandaj unë nuk shkoj dot por do të shkosh ti sepse unë nuk mund ta braktis dy herë djalin tim”. Dhe ja ku jeni sot të dy. Vetëm para disa ditësh, Misheli ka mësuar që ka një vëlla dhe janë lumturuar pafund.
Mes shumë emocionesh, bashkëshortja e Erionit, Evisi tregon se ai është ndier gjithnjë vetëm sepse nuk kishte motër apo vëlla. Misheli shton se ka provuar të njëjtën ndjesi dhe gjithnjë i ka kërkuar nënës së tij një motër apo vëlla. Më në fund, dëshira e të dyve është realizuar sepse dy vëllezërit kanë gjetur njëri-tjetrin, pas 44 vitesh!/tvklan.al