46 deputetë që do të ulen në Parlament në legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e 11 Maj do të kenë vendin e sigurtë në listën e kandidatëve që do të hartohet nga krerët e partive. Pjesa tjetër e kandidatëve për 140 mandate që ka Parlamenti shqiptarë iu duhet të “luftojnë” jo vetëm me kundërshtarët politik, por dhe me kandidatët e partisë se tyre për të siguruar mbështetje më të madhe të elektoratit për të arritur të bëhen deputetë.
Mjafton vetëm një votë më shumë për t’u radhitur në krye të listës fituese të partisë apo koalicionit ku bën pjesë. Ndërkohë që kriteri i vendosur në kodin zgjedhor është që 1 në 3 kandidatët fitues duhet të jetë grua ose vajzë pavarësisht nëse ka marrë më pak vota se kandidatët e gjinisë mashkullore.
Komisoneri shtetëror i zgjedhjeve miratoi këtë të mërkurë numrin e kandidatëve për deputetë në listat shumëemërore të paraqitura nga subjektet zgjedhore të ndara sa prej tyre do të jenë në listën e mbyllur dhe sa në listat e hapura.
Në qarkun e Beratit që ka 7 mandate për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e mbyllur dhe 5 nga lista e hapur.
5 mandatet e Dibrës do të ndahen: 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura. Durrësi ka 14 mandate 5 deputetët e parë dalin nga lista e mbyllur dhe 9 nga lista e hapur.
5 deputetët e parë të Elbasanit do të jenë ata që mandatin jua ka paracaktuar kryetari dhe 9 kandidatët e tjerë do duhet të bëjnë betejë për çdo votë për t’u ulur në Parlament.
Në Fier 5 nga 16 deputetët që ka qarku do të jenë në listën e mbyllur. Gjirokastra ka 4 mandate, por vetëm 1 do të dalë nga listat e mbyllura.
Korça në këto zgjedhje ka 10 mandate dhe 3 nga deputetët e ardhshëm të çdo force fituese do ta dijnë përpara 11 Majit që do të ulen në Parlament.
Në Kukës është 1 mandat nga 3 në total në Shkodër 4 nga 11, në Vlorë nga 12 mandate 4 deputetë fitues do të përzgjidhen nga listat e mbyllura dhe në Tiranë që në këto zgjedhje do të ketë një mandat më shumë 12 fituesit e 37 mandateve do të dalin deputetë, pasi janë vendosur nga kryetarët e partive në listat e sigurta.
Tv Klan