“Anija ushtarake italiane ‘Cassiopea’ e nisur të premten nga ishulli i Lampeduzës mbërriti këtë të martë në orën 8:00 të mëngjesit në portin e Shëngjinit. Nga bordi i saj zbritën 49 emigrantë të paligjshëm me kombësi nga Egjipti, Bangladeshi, Bregu i Fildishtë dhe Gambia. Ata po i nënshtrohen procedurave të para për azil”, raportoi gazetari Martin Marku.
Emigrantët u panë të zbrisnin anijen me qese që mbanin rroba dhe sendet e tyre personale nëpër duar.
Pas zbritjes, ata po i nënshtrohen procedurave të regjistrimit, verifikimit dhe kontrollove mjekësore në qendrën pritëse në Shëngjin.
Pas përfundimit të këtyre procedurave 49 emigrantët e paligjshëm do të akomodohen në Kampin e Gjadrit në pritje të vendimeve gjyqësore mbi kërkesat e tyre për azil.
Grupi i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërriti këtë të martë në Shqipëri erdhi pas 2 muajsh pezullim për shkak të vendimeve të gjykatave në Itali që urdhëruan në dy rastet e para, dërgimin e emigrantëve në vendin fqinj.
Kjo pasi Gjykata e Romës nuk konfirmoi si të ligjshëm ndalimin e tyre.
Emigrantët e paligjshëm mbërritën në Shqipëri në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni firmosur në Nëntor 2023.
Tv Klan