Anija e marinës ushtarake italiane e quajtur Libra është nisur nga porti i Lampeduzës drejt atij të Shëngjinit me grupin e parë të azilkërkuesve afrikanë të shpëtuar në detin Mesdhe.

Në bordin e anijes para nisjes u krye një kontrolli fillestar i azilkërkuesve që u transferuan drejt bregut tjetër të Adriatikut  ku janë në funksion të plotë qendrat në Shëngjin dhe Gjadër.

Aty azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh për kërkesën e tyre për azil. Nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Një komision i ngritur nga Prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat pasi intervistat të zhvillohen me video-lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. 

Në replike me OJQ-të që veprojnë në Mesdhe kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se ajo drejton një qeveri që me një mandat të qartë të marrë nga qytetarët që po punon për mbrojtjen e kufijve italianë dhe ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, nëpërmjet veprimeve konkrete dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

15 shtete i kanë përcjellë Komisionit Evropian një letër në të cilën kërkojnë rifillimin e modelit italian kundër emigracionit të parregullt, dhe veçanërisht në lidhje me marrëveshjen me Shqipërinë.

Klan News