Kancelari gjerman Olaf Scholz ka hedhur poshtë kërkesat e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që Gjermania dhe aleatët e tjerë të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në të paktën 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Duke folur në ndalesën e parë të turneut të tij të fushatës zgjedhore në Bielefeld, kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se 5 përqind do të ishin shumë të kushtueshme.
“5 përqind do të ishin mbi 200 miliardë euro në vit. Buxheti federal nuk është as 500 miliardë euro. Kjo do të ishte e mundur vetëm me rritje masive taksash ose shkurtime masive për shumë gjëra që janë të rëndësishme për ne”.
Gjermania arriti objektivin aktual të NATO-s prej 2% të PBB-së vetëm vitin e kaluar, hera e parë që e kishte bërë këtë që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe Scholz premtoi se vendi do ta ruante atë nivel.
“Unë garantoj se ne do të vazhdojmë të shpenzojmë 2% të prodhimit tonë ekonomik për mbrojtjen. Kushdo që thotë se nuk është rruga e duhur duhet të na tregojë se nga mund të vinë këto para”.
Friedrich Merz, udhëheqësi i Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) të opozitës gjermane dhe njeriu që supozohet se do të pasojë Scholz si kancelar ka deklaruar edhe më herët se vendi do të shpenzonte më shumë për mbrojtjen, por ai nuk do të tërhiqej nga objektivi specifik. Edhe për analistët, ky vendim do të ishte politikisht dhe ekonomikisht i pamundur për pothuajse të gjithë vendet anëtare pasi do të kërkonte miliarda dollarë fonde shtesë.
Aktualisht Polonia është vendi anëtar i NATO-s që shpenzon më shumë për mbrojtjen dhe pasohet nga Estonia me 3.43% dhe Shtetet e Bashkuara me 3.38%. Megjithatë, një objektiv i ri ka të ngjarë të arrihet në një samit të NATO-s në Hagë në qershor, i nxitur nga frika se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s pas Ukrainës.
Klan News