Vendi i vetëm që kryeqyteti ka për zhvillimin e panaireve kombëtare e rajonale është Pallati i Kongreseve, i cili njëherësh përdoret për koncerte, organizime partiake a artistike.

Për të patur me një qendër të dedikuar kryesisht për panaire është menduar për ndërtimin e një qendre multifunksionale në Farkë, në një zonë ish-ushtarake që përdorej si fushë stërvitore pranë bazës ajrore të Forcave të Armatosura. Projekti që do të zbatohet, do të përzgjidhet mes 5 të studiove prestigjioze ndërkombëtare që kanë prezantuar idetë e tyre ne fazën finale të konkursit për “Expo Albania”.

Pjesë e jurisë ishte dhe kryeministri Rama, i cili mendon se tani janë pjekur kushtet që Tirana të ketë një qendër të tillë, e cila do të shërbejë përveçse për panaire dhe evenimenteve ndërkombëtare të industrisë, ekspozitave të artit, kulturës, koncerte e konferenca e takimeve të shumëllojshme.

“Për ne ky është vërtetë një moment mjaft i mirëseardhur për të ngritur këtë qendër ekspozimi ku mund të ndodhin të gjitha ato organizime që mund të zhvillohen vetëm në këtë lloj hapësire, në këtë lloj vendi. Kjo është saktësisht një nga ato shumë gjëra për të cilat Shqipëria ka nevojë në mënyrë që të ecë përpara dhe të rrisë stekën e ambicies së saj.”

Mes 60 studiove që shprehën interes, 5 kompanitë që prezantuan sot projektin janë 2 studio amerikane, Steven Hall dhe Jeanne Gang, studio gjermane Kuehn (Kyn) Malvezzi, skuadra belge e Office KGDV dhe studio italiane e Stefano Boerit.

Tv Klan