Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fton të gjitha kompanitë shqiptare dhe të huaja që të marrin pjesë në konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e qendrës më të madhe në Ballkan për fëmijët e spektrit autik dhe me aftësi të veçanta.
Thirrja u bë gjatë vizitës së tij në ekspozitën “Të gdhendësh karakter”, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).
“Qyteti ka nevojë të ketë edhe një infrastrukturë për ëngjëjt tanë të vegjël, që ndoshta kanë nevojë për një tjetër lloj ndihme. Ndaj, duam të krijojmë qendrën më të madhe të ndihmës për fëmijët e spektrit autik dhe duam që ndërtesa të jetë vërtet një kryevepër, qoftë edhe në shërbimin e terapisë dhe logopedisë. Për këtë projekt do të kemi një konkurs ndërkombëtar.”
Kryebashkiaku lajmëroi edhe konkursin për transformimin e “AquaPark”, për të cilin tha se do jetë një zgjatim i Parkut Olimpik, për t’i dhënë formën e një kampusi.
“Do të kemi edhe një konkurs tjetër te “AquaPark”, – një hapësirë e cila prej 20 vitesh ishte zaptuar nga privatët, dhe ishte kthyer në një parking të madh makinash – për ta shndërruar në një zgjatim të Parkut Olimpik dhe kampus.”
Bazuar në monografinë me të njëjtin emër, ekspozita “Të gdhendësh karakter” sjell në jetë temat e ndërlidhura dhe filozofitë e dizajnit, që nga ripërdorimi përshtatës dhe ndërtesat publike inovative deri te zhvillimet e gjera.
Tv Klan