Stuhia polare “Blair” ka paralizuar pjesën më të madhe të lindjes së Shteteve të Bashkuara. Deri më tani numërohen 5 të vdekur, ndërsa në shumë shtete federale janë mbyllur shkollat dhe institucionet e tjera publike deri në normalizimin e situatës.

Më e vështirë, situata është në 7 shtete federale ku është shpallur edhe gjendja e emergjencës, si në Merilend, Virxhinia, Virxhinian Perëndimore, Kansas, Misuri, Kentaki e Arkansas, ku janë shënuar edhe viktimat.

Dëbora e dendur atje ka paralizuar qarkullimin e automjeteve. Autoritetet lokale thonë se bëhet fjalë për dëborën më të dendur të rënë në më shumë se 3 dekada.

Në Virxhinia janë regjistruar mbi 300 aksidente rrugore, për shkak të rrëshqitshmërisë së lartë nga ngricat.

Në kryeqytetin Uashington, trashësia e dëborës të Hënën arriti në 23 centimetra ditën kur kolegji zgjedhor certifikoi fitoren e Donald Trampit si president.

Në shkallë vendi janë anuluar mbi 2 300 fluturime, ndërsa janë shtyrë mbi 9 mijë të tjera. Shkëputja e linjave shkaktoi probleme në furnizimin me energji elektrike, ndërsa aktualish pa energji mbeten 190 mijë banorë.

Tv Klan