Një gjysmë shekulli jetë kushtuar artizanatit. Është historia e artizanes Shpresa Dahri nga Vlora. Nuk e ka nisur me dëshirë, por nga nevoja për të punuar. Më pas, u kthye në pasion. Fillesat janë që kur ajo ishte e vogël.
Pas rrëzimit të komunizmit, vendosi që tezgjahun ta blente dhe në të ka punuar për vite. Çështja e patriotizmit e frymëzon për të realizuar punime të ndryshme. Një prej tyre është edhe kjo hartë e Shqipërisë së Madhe, për të cilën i është dashur të punojë gati 2 muaj.
Për Klan News, ajo tregon edhe procesin e punës. Punimet me temë patriotizmin i ka shitur. Ndaj tani ka vendosur që të qëndisë një shqiponjë, të cilën ta ketë si kujtim.
Asnjë prej fëmijëve të saj nuk e trashëguar artizanatin dhe për këtë thotë se i vjen keq. Por as brezin e ri nuk e sheh afër këtij zanati. Interesi për punime të tilla është kryesisht në panaire që zhvillohen në qytetin bregdetar.
Por artizania thotë se kurioz janë edhe të huajt, të cilët vijnë të kalojnë pushimet në vendin tonë. Pavarësisht lodhjes ndër vite dhe gjendjes jo të mirë shëndetësore në të cilën ndodhet momentalisht, Shpresa thotë se punën me tezgjah nuk do ta ndërpresë. Madje na premton se shumë shpejt do të qëndisë edhe një logo të Tv Klan.
Klan News