Është finalizuar në Korçë operacioni “The Counterfeiters 2” për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve.
Për këtë arsye është vënë në pranga një 58-vjeçar. Ai vijonte të prodhonte në banesë dokumente të falsifikuara ndërkohë që ishte me masë sigurie arrest shtëpie.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Korçë, në vijim të operacionit “The Counterfeiters”, të finalizuar në muajin korrik të vitit 2023, si rezultat i të cilit u zbulua një laborator që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas, ka vijuar në drejtimin e Prokurorisë së rrethit, punën hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë. Në vijim të veprimeve, u arrestua shtetasi: A. R., 58 vjeç, banues në Korçë, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Korçës, për rastin e falsifikimit të dokumenteve që u zbulua në korrik të vitit 2023”, njoftoi policia.
Uniformat blu kishin dyshime se ky person vijonte ende ta ushtronte veprimtarinë e falsifikimit të dokumenteve. Për këtë arsye u ushtrua kontroll në banesën e tij.
Aty u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa pasaporta greke, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe falsifikimi, celularë dhe një shumë eurosh.
Ndërkohë policia thotë se po vijon hetimet për të vënë para përgjegjësisë ligjore të tjerë persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./tvklan.al