Një magazinë me lëndë narkotike, e mbledhur dhe gati për t’u shitur është zbuluar nga policia në Korçë. Sipas informacioneve paraprake që ka mësuar gazetarja Daniela Zisi droga u gjet në një magazinë në fshatin Voskop.

Dyshohet se lënda narkotike është marrë nga një tjetër vend, është mbledhur në magazinë për t’u tharë e më pas për t’u tregtuar. Burime të gazetares Zisi bëjnë me dije se në magazinë janë gjetur edhe armë zjarri. Ndërkohë në pranga kanë përfunduar pesë persona.

Referuar burimeve nga policia, bëhet me dije se sasia e lëndës narkotike është rreth 60 kg kanabis sativa të bërë gati për shitje, ndërsa janë gjetur më shumë se 100 rrënjë kanabis.

Personi kryesor që dyshohet të jetë organizatori i veprimatarisë kriminale në këtë magazinë, duke punësuar persona për ta përpunuar e për ta bërë gati për shitje kanabisin, është një banor nga Voskopi, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Nga ana tjetër po hetohet nëse ka persona të përfshirë nga qarku juglindor dhe qarqe të tjera, nga të cilët dyshohet të kenë ardhur fidanët e kanabisit./tvklan.al