Një hetim i nisur që prej vitit 2020 nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Korçës ka çuar në pezullimin e 19 policëve të drejtorisë vendore dhe asaj të kufirit në këtë qark. Mes tyre janë efektivë të rolit bazë, por dhe shefa e drejtues.
Sipas hetimeve dyshohet se këta persona nëpërmjet faturave fiktive dhe të falsifikuara, të paraqitura në kohë të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në misionin FRONTEX, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash, vlera e të cilave sipas burime arrin në mbi 400 mijë Euro.
Konkretisht ka rezultuar se punonjësit e policisë të nivelit drejtues, në shpërdorim të detyrës, kanë nxjerrë një numër të konsiderueshëm urdhrash transferimi fiktivë në Stacione të ndryshme të Policisë Kufitare Korçë, me qëllim favorizimin e punonjësve të policisë në përfitime të paligjshme.
Ndërsa nga Sektori i Financës në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, përmes dokumentacionit fiktiv të paraqitura nga punonjësit e policisë, bënte lëvrimin e parave, të cilat përfshinin si shpenzime akomodimi, fjetje, apo dieta të ndryshme.
Për të vënë në jetë këtë skemë përfitimi, të përfshirë ishin dhe 2 operatorë hotelierë, për të cilët është caktuar masa sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”. Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme.
Tv Klan