Pas 6 orësh seanca, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën arrest në burg për ish-ministrin Ilir Beqaj. Klan News mëson se ish-ministri ka mohuar akuzën se ka abuzuar me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC.
Beqaj kërkoi masë më të butë sigurie duke ofruar garanci pasuror me vlerë 5 milionë lekë. Ai u pyet edhe për restorantin që dyshohet se përdorej për këto abuzime.
“Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar për shkak të njohjes klientë të serës së lartë”
Në lidhje më makinë që përdorte, Beqaj theksoi se nuk ka pse ta fshihte pasi me të ardhurat që ka, mund ta justifikojë.
“Unë gjithmonë hipi pasagjer se s’kam patentë. Një makinë të tillë mund ta përdor pa problem me të ardhurat që kam, mund të përballoj jo shpenzimet e kësaj makine, por disa të tilla me të ardhurat që kam, s’kam arsye ta fsheh”.
Avokati i tha se vendimi i masës arrest në burg u dha që zoti Beqaj të mos gjejë parregullsi në materiale dhe të pengohet të shkojë në komisionet hetimore parlamentare. Yzeiri theksoi se kjo është një çështje personale e SPAK ndaj Beqajt.
Beqaj akuzohet për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim, mosdeklarim dhe fshehja e pasurisë.
Gjykata la në burg bashkëpunëtori e tij, Ermal Kurtulajn, ndërsa i lehtësoi masën për Alfred Nikollajt, i cili do të hetohet arrest në shtëpi. Po në arrest shtëpie do të hetohet edhe Elton Marini. Bledar Leka dhe Bjona Zijaj janë me masë detyrim paraqitje ndërsa nuk është ekzekutuar masa për Gazmend Haxhian, i cili ndodhet jashtë vendit.
Klan News