Kryebashkiaku Erion Veliaj është transferuar në ambientet e paraburgimit në Durrës.

“Aktualisht është sistemuar në një nga dhomat e paraburgimit, aty ku do të presë çështjen gjyqësore për akuzat e ngritura. Është transferuar këtu, për shkak të distancës nga Tirana, por edhe për kushtet. Në të njëjtat ambiente ndodhen edhe ish-ministri Ilir Beqaj dhe ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja”, raportoi gazetarja e Klan News Enkeleda Arapi.


Kujtojmë se ditën e djeshme u verifikua masa e “arrestit me burg” për Veliajn, pas më shumë se 6 orësh seancë gjyqësore në GJKKO. Ndërkohë, u ndryshua masa për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Gjykata la në burg biznesmenin Elman Abule dhe “detyrim paraqitje” 5 personat e tjerë nën hetim.

Gjyqtari Bani mori këtë vendim pasi dëgjoi për më shumë se 6 orë personat e akuzuar, avokatët e tyre si dhe dy prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani. Ai qëndroi për më shumë se 1 orë në Dhomën e Këshillimit.

Erion Veliaj kërkoi lirimin nga qelia në këmbim të garancisë pasurore, por kërkesa e tij nuk u mor parasysh. Për më shumë detaje sa i takon gjithë asaj çfarë ndodhi dje në ambientet e Gjykatës së Posaçme, mund të lexoni duke klikuar KËTU!

/tvklan.al