Në një letër publike, Ilir Beqaj ka akuzuar Gjykatën dhe SPAK për proces fiktiv ndaj tij për dosjen hetimore të sterilizimit. Ish-ministri i Shëndetësisë thekson se i gjithë procesi ndaj tij është fiktiv.
Ai akuzon Gjykatën dhe SPAK që nuk kanë pasur prova për dy akuzat e ngritura: vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal.
“Nuk kishte asnjë provë që përligjte ngritjen e kësaj akuze të re. Si unë, si të akuzuarit e tjerë, si avokatët tanë dhe mbi të gjitha si vetë Prokurorët e çështjes, i kërkuam asaj që të shpjegonte arsyet e këtij qëndrimi dhe në cilin fakt apo provë të akuzës ajo bazohej për të pretenduar që në rastin konkret unë isha “hajdut” dhe “grup i strukturuar kriminal”, shkruan Ilir Beqaj.
Beqaj thotë se procesi gjyqësore ndaj tij dhe procesi hetimor që kreu komisionin i posacëm parlamentar, kanë një ngjashmëri shumë të madhe.
“Të dyja proceset zgjatën me muaj të tërë dhe të dyja dështuan duke përfunduar me urdhëra dhe skema për të mbyllur gojën time”, shkruan Beqaj.
Për Beqaj, dërgimi i dosjes së sterilizimit në Gjykatë është përshëndetur nga opozita.
“Berisha dhe Vokshi e kanë duartrokitur qëndrimin e Gjyqtares. Të njëjtës gjyqtare që i hoqi masën “arrest shtëpie” Sali Berishës. Të dy këta, si edhe Petrit Vasilin, do t’i thërras dëshmitarë në gjyq. Të ma thonë në sy fjalën “hajdut” dhe po në sy t’u them përgjigjen time”, shkruan Ilir Beqaj.
Të pandehur në gjyq për dosjen e Sterilizimit, shkuan edhe 6 ish-zyrtarë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.
SPAK fillimisht dorëzoi në gjykatë dosjen duke akuzuar ish-ministrin vetëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” por më pas u vendos që ai të gjykohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal.
Gjithashtu, Ilir Beqaj është i akuzuar edhe për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj, SASPAK.
Klan News