Në 22 Tetor, SPAK njoftoi arrestimin e avokatit Lavdosh Shehu, për një çështje korrupsioni. Shehu kishte kërkuar 12 mijë euro nga një shtetase, për ta transferuar djalin e saj në burg në Itali, që ta bënte në Shqipëri pjesën e mbetur të dënimit. Në njoftimin e SPAK thuhej se aksioni u krye në bashkëpunim me emisionin “Stop”.
Po cila është historia?
Në redaksinë e emisionit “Stop” u drejtua një nënë 70-vjeçare nga qyteti i Tiranës, për një problem me djalin, i cili vuan dënimin për një vepër penale në Itali. Shqiponja Hyseni tregoi, se prej 7 vitesh nuk e ka parë djalin e saj.
“E kam djalin në burg në Itali. Thonë, për rrahje është futur. Me shokët është zënë dhe është futur në burg. Unë jetoj vetëm me mbesën e vogël këtu që kam. Djali vazhdon atje dhe unë pyeta, u interesova, “më ndihmon, si mund të më ekstradohet djali, nga Italia ta sjell në Shqipëri, ta shoh edhe një unë një herë këmba dorazi, të shkoj te fëmija”, tha Hyseni.
Ajo gjeti një avokat, Lavdosh Shehu, i cili për procedurën i kërkoi 12 mijë Euro.
“Mora një avokat që quhet Lavdosh Shehu. E thirra dhe i thashë, këtu, këtu. E bëj unë tha. Mirë të keqen nëna i thashë unë. Dua 12 mijë Euro tha. U interesova, mora njerëzit e mi ku ishin e ku nuk ishin “aman o derman se do vdes dhe nuk do shoh fëmijën”. I gjeta. E thirra ia dhashë lekët. Do fillojë procedura. Se ka filluar, se do bëjë gjë, unë nuk di gjë. Prit sot, e prit nesër”, tha Hyseni.
Zonja i ka dhënë vetëm 5 mijë euro. Shuma, sipas avokatit, do të shkonte për funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, që të kryhej procedura.
“5 mijë Euro, 5 mijë Euro i kam paguar avokatit. Nuk ta firmos se duan lekë ata të ministrisë. Do presësh 1 muaj e gjysmë ose 2 se pastaj do mundohem që ta bëj. Procedurat nga shteti italian janë bërë. Kishin thënë avokatët e Italisë, edhe ata të Interpolit të Italisë, që hajde merreni këtë personin. Dokumentet qëndrojnë tek këta. Se tek kush janë nëna nuk e di. Kërkoj nga emisioni “Stop” që djali të ekstradohet nga Italia për në Shqipëri. Unë si nënë të vete ta takoj, ta shoh një herë se më dridhet buza për fëmijën, kam 7 vjet që nuk e kam parë me sy. Edhe fëmija vogël do babanë e vet. Më pyet “nënë kur do vijë baba”. Ça t’i them unë?”, tha mes lotësh e moshuara.
E moshuara në prani të gazetares së “Stop” telefonoi avokatin për shkak të problematikës, por ai mohon se ka marrë një shumë parash.
E moshuara: Sa lekë duan ata që të interesohem. Mos duan lekë prapë dhe bien fëmijën se unë jam e sëmurë.
Avokati: Nuk di gjë unë, muhabet lekësh o nëna! Ca thua?!
E moshuara: Po si s’di gjë, ti më the mua duan kaq, e duan aq.
Avokati: Jo, jo! S’kam thënë gjë!
E moshuara: Mos më thuaj mua s’ke thënë se unë jam grua plakë. Ke kërkuar 12 mijë Euro të keqen nëna.
Avokati: Nuk të kam kërkuar ndonjëherë lekë, nëna.
E moshuara: Po ti më the vetë, pse e mohon fjalën, alamet fjalësh ti të më mohosh të tilla muhabete.
Avokati: Mos më bëj kështu muhabetesh nëna! Për respekt ta hapa telefonin. Të lutem! Këto muhabete nuk i bën dot me mua. Kalofsh mirë!/tvklan.al