Ish-ministri Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka qëndruar sot për rreth 8 orë në SPAK. Ai është një nga personat e fundit që është pyetur në lidhje me procesin e hetimit që po bëhet nga kjo prokurori për sa i takon koncesionit të sterilizimit, koncesion ky që është dhënë në kohën kur Ilir Beqaj ishte ministër i Shëndetësisë. Gazetarja Belona Metushi, e cila ka ndjekur nga afër ngjarjen e sotme në prokurori ka raportuar për Tv Klan, mbi dëshminë e gjatë të ish-ministrit Beqaj.

“Janë fashikuj të tërë të dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme, dosje e cila ka nisur në vitin 2012 dhe gjetjet janë kryer në këtë dosje hetimore. Ish-ministri i Shëndetësisë është pyetur një për një për të gjitha  verifikimet që janë kryer dhe ka dhënë shpjegimet e veta në lidhje me pyetjet që i janë drejtuar nga dy prokurorët e çështjes, por edhe nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Hetuesit kanë kërkuar informacione në lidhje me procedurën e hapjes së garës së koncesionit për sterilizimin, koncesion i cili është dhënë në një kontratë të vitit 2015, një kontratë që kapte vlerën e 100 milionë dollarëve. Hetuesit e Prokurorisë së Posaçme e kanë pyetur ish-Ministrin e Shëndetësisë në lidhje me korrespodencat e mbajtura për këtë koncesion. Nga ana tjetër i janë kërkuar shpjegime edhe për nevojën, a ka pasur analizë nga Ministria e Shëndetësisë në atë kohë për të dhënë këtë shërbim me koncesion. Për të gjitha këto pyetje të ngritura nga ana e prokurorëve të Posaçëm kanë marrë përgjigje nga zoti Beqaj për gati mbi 8 orë, pasi ish-Ministri i Shëndetësisë ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme rreth orësh 10:00 të pasdites së sotme dhe ka dalë prej andej rreth orës 19:00”./tvklan.al