Krerët e Politikës Shqiptare kanë përkujtuar 8 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të publikojë në rrjetet sociale një foto së bashku me një nga thëniet më të famshme të huminstes shqiptare, e cila u kërkon njerëzve që të luten dhe të gjejnë paqen.
Presidenti i Bajram Begaj ka përkujtuar shenjtërimin e Nënë Terezës duke u kërkuar njerëzve që të ndjekin shembullin e saj për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj shpreh admirim për figurën e Nënë Terezës, teksa thotë se trashëgimia që ajo la pas është dritë udhëheqëse për të gjithë njerëzit.
Ambasada e SHBA në Tiranë vlerëson humanisten shqiptare dhe thotë se 5 Shtatori shërben si një kujtesë e fuqishme e rëndësisë së veprimeve të vogla dhe aftësisë së tyre për të frymëzuar ndryshim.
8-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës u përkujtua edhe nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili gjithashtu bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë më të dobëtit e të shpërndajnë dashuri.
Humanistja shqiptare u shenjtërua nga Papa Françesku më 5 Shtator 2016. Ajo u bë e përjetshme në shenjtërinë e saj përmes një ceremonie madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.
E para ishte dëshmia e Monika Besra e cila tha se lutja përpara ikonës së Nënë Terezës e shëroi nga një sëmundje e pashërueshme.
Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga një sëmundje e rëndë.
Klan News