Në 8-vjetorin e miratimit unanim të amendamenteve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, Ambasada e SHBA-së, ka dhënë një mesazh urimi për Shqipërinë. Në një reagim në rrjetin social “X”, Ambasada e Shteteve të Bashkuara thotë se Reforma në Drejtësi po jep rezultate dhe po krijon një demokraci më të fortë në Shqipëri.

Më tej, shkruan se janë krenarë që janë në krah të popullit shqiptar në këtë përpjekje të guximshme teksa shton se do të qëndrojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë dhe qytetarët shqiptarë teksa bëjnë përparim në luftën kundër korrupsionit.

“Në këtë 8-vjetor të miratimit unanim të amendamenteve kushtetuese që i hapën rrugën Reformës në Drejtësi, urojmë popullin shqiptar për mbështetjen në zbatimin e pakthyeshëm të saj. Ashtu siç e kemi thënë gjatë gjithë kohës, Reforma në Drejtësi nuk do të ishte e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo po jep rezultate dhe po krijon në Shqipëri një demokraci më të fortë.

Ne jemi krenarë që kemi qenë në krah të popullit shqiptar në këtë përpjekje të vështirë dhe të guximshme. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve të Shqipërisë, ndërsa ata bëjnë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe afrimin e Shqipërisë me komunitetin euroatlantik të kombeve”, shkruan ambasada e SHBA.


/tvklan.al