9.7 milionë vizitorët e huaj që erdhën në Shqipëri këtë vit nga Janari deri në Shtator po i afrohen rekordit të flukseve turistike të regjistruar nga janari deri ne dhjetor të një viti më parë.
Shifra u publikua këtë të shtunë në takimin vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024, ku u shpalos edhe një herë synimi i qeverisë që deri në vitin 2030 Shqipëria të jetë lider i turizmit në rajon. Pjesë e këtij synimi është edhe rregullorja e re për menaxhimin e plazheve ku të drejtën e shezlonëve do ta kenë vetëm hotelet.
“Do jenë të vetmet që do kenë mundësinë të aplikojnë për të menaxhuar stacione plazhi, në proporcion të drejtë më numrin e dhomave, që do çlirojë hapësira të mëdha plazhi.”
Qeveria ka gati edhe Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, një instrument që projekton zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe jo atë masiv.
“Propozojmë ta ndajmë zhvillimin rajonal turistik në 6 rajone turistike.”
Zv.Kryeministrja Belinda Balluku u ndal tek investimet në infrastrukturë që do t’i japin shtysë edhe turizmit.
“Edhe viti 2025 do ketë një sërë risish në infrastrukturë, ajo më e rëndësishmja dorëzimi i aeroportit të Vlorës, udhëtime transoqeanike.”
Trashëgimia kulturore po ashtu është në listën e vizitave të të huajve, ku në site kulturore dhe muze deri në Shtator janë regjistruar 1 milion vizitorë. Në Strategjinë e re të Turizmit parashikohet që në vitin 2030 të ketë një rritje me 138% të netëqëndrimeve, ndërsa të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten me 4 herë nga formalizimi i mëtejshëm i sektorit të turizmit.
Tv Klan