9 persona, përfshirë një foshnje, vdiqën kur anija e tyre u fundos ndërkohë që po përpiqeshin të kalonin Detin Mesdhe gjatë një stuhie. Fati i 15 personave të tjerë ende nuk dihet, sipas njoftimit të rojes bregdetare italiane të enjten.
Autoritetet e Maltës kërkuan ndihmën e Italisë të mërkurën pas fundosjes së anijes rreth 50 kilometra në juglindje të ishullit të Lampedusës. Roja bregdetare italiane njoftoi se ka dërguar një ekip të saj tek vendi i ngjarjes, duke “shpëtuar 22 të mbijetuar dhe gjetur trupat e 9 personave, përfshirë atë të një foshnjeje.”
Operacioni i shpëtimit “ishte i vështirë për shkak të motit të keq dhe kushteve të rënda në këtë zonë, me dallgë që arrinin lartësinë deri në 2.5 metra,” sipas njoftimit të rojes bregdetare.
Përkatësia kombëtare e personave në anije nuk dihet ende, por ishulli Lampedusa, që shtrihet në Mesdhe midis Tunizisë, Maltës dhe ishullit italian të Sicilisë, është porti i parë për shumë emigrantë që synojnë të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
“Fundosje e tmerrshme e anijes në afërsi të Lampedusës gjatë një misioni shpëtimi,” shkroi në rrjetin social X zëdhënësi i UNHCR-së Filippo Ungaro të mërkurën mbrëma. Të mbijetuarit, u dërguan në Lampedusa, “me hipotermi dhe të tronditur,” shtoi ai.
Një aeroplan i rojes bregdetare italiane po vëzhgon zonën përreth anijes së fundosur për persona të tjerë, fati i të cilëve nuk dihet. Në një operacion tjetër, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar 37 emigrantë “të cilët ishin në mëshirën e dallgëve të detit në një varkë të vogël druri rreth 7 metra e gjatë” në afërsi të bregjeve të Lampedusës të mërkurën./VOA