321 infektime të reja në 24 orë
Thellohet edhe më tej bilanci i koronavirusit në vendin tonë. Sërish 9 qytetarë të tjerë nuk e fituan dot betejën me virusin, duke e çuar në 527 numrin e jetëve të humbura që nga nisja e pandemisë. Pesë prej tyre nga Tirana, më i riu ndër ta ishte vetëm 44 vjeç, ndërkohë që dy viktima të tjera ishin nga Korça dhe një nga Mallakastra.
Rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe shtrimet në tre spitalet Covid, ku numri i pacientëve që kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor ka shkuar në 328, nga të cilët 12 janë në terapi intensive dhe 5 janë në gjendje të rëndë të intubuar.
Të larta mbeten edhe infektimet ditore. Nga 1446 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 321 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Harta e përhapjes së virusit edhe në 24-orëshin e fundit është e përhapur thuajse në gjithë vendin, por në Tiranë janë evidentuar më shumë se gjysma e rasteve ditore dhe pas saj vijnë Kavaja, Korça, Pogradeci dhe Fieri.
Aktualisht në gjithë vendin janë 9,629 raste aktive, nga të cilat 4896 vetëm në Tiranë.
Autoritetet shëndetësore raportuan gjithashtu se në 24 orët e fundit janë shëruar 121 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 11,367 që nga fillimi i epidemisë.
Tv Klan