Jo aq për cilësitë artistike, por për mesazhin që përmban, Muzeu Historik Kombëtar, i hap dyert një ekspozite me protagonistë fëmijë shqiptarë dhe grekë. Ideja e mësuesit të tyre të pikturës, Kristo Dëfrim Hasës, emigrantit që pas shumë vitesh si marangoz i është rikthyer profesionit të tij të parë, pikturimit, është të mbjellë tek këta fëmijë farat e të jetuarit mirë në komunitet edhe kur ai është i përbërë nga kombësi të ndryshme.
Bashkëveprimi me fëmijët e bashkitë së Amaliadas dhe Ilidas në Greqi, i ka dhënë rezultatet e para.
Njëri nga nxënësit e tij grek, artistikisht e shpreh kështu dashurinë për shokun e tij të ekipit në futboll me mbishkrimin “Paqe dhe mirëkuptim”.
Fantazinë e 47 fëmijëve, pesë deri në 11 vjeç e gjeni në Muzeun Historik Kombëtar aty ku nuk duhet të harroni të mbani me vete një erashkë ose në rastin më të mirë të gjeni një vend sa më afër këtij ventilatori që mundëson pakëz ajër të freskët në mungesë të ajrit të kondicionuar në një institucion ku luhatja e temperaturës si në të nxehte e në të ngrohtë është një nga vrasësit e heshtur të objekteve të çmuara të trashëgimisë tonë kulturore.
Tv Klan