Mbi 40 masa sigurimi u lëshuan nga Gjykata e Posaçme për personazhe të njohur të botës së krimit në vend, me dyshimet se janë përfshirë në vrasje dhe përgatitje atentatesh të parealizuara.
Për ekzekutimin e këtyre masave dhe dhjetra urdhër-kontrolleve, Policia e Shtetit, e ndarë në grupe të posaçme nisi një operacion në orën 03:30 të mëngjesit në të paktën 5 qytete, nisur nga Tirana, Kruja, Lezha, Shkodra dhe Vlora.
Këto pamje tregojnë disa nga momentet e këtij operacioni, i cili vijoi deri në orët e vona të së premtes. Një pjesë e personazheve që rezultojnë të përfshirë në krimet e zbardhura, ishin në qeli, ku iu komunikua masa e sigurisë.
Burimet thanë se SPAK ka siguruar prova për zbardhjen e një seri ngjarjesh kriminale të ndodhura në Tiranë, Shkodër dhe qytete të tjera, të cila rezultojnë varg hakmarrjesh dhe larje hesapesh mes grupeve kriminale.
Si autorë të tyre, në rolin e porositësve dhe ekzekutorëve, u lëshuan masa sigurie për personazhe të njohur të botës së krimit që vepronin në Tiranë, Shijak, Fushë Krujë, Vlorë dhe Shkodër. Masa sigurimi, referuar burimeve janë lëshuar edhe për personazhe të lidhur më herët me politikën apo zyrtarë të policisë.
Hetimet e SPAK janë vijim e të ashtuquajturës dosja “Metamorfoza” dhe ka bazë komunikimet e këtyre personazheve në rrjetin e enkriptuar SKY.
Tv Klan