Sipas opinionistit Elton Saraseli, vjen një moment kur marrëdhënia në çift bëhet monotone sepse reagimet e secilit në situata të ndryshme bëhen të njohura. Mendimi i tij bie në kundërshtim me të ftuarën tjetër e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, psikologen Almeida Xhaferi. Ajo shpjegon se humbja e kureshtjes për partnerin, perceptimi i tjetrit brenda rutinës vret çiftin.
Almeida Xhaferi: Shumica e çifteve vijnë në terapi dhe unë i pyes, a do dashuroheshe ti sot me partnerin/partneren që ke? Dhe flasim këtu për çifte që kanë 20 vite bashkë, 10 vite dhe përgjigjja në të shumtën e herëve është tronditëse: “jo, me njeriun që është sot unë nuk do kisha rënë në dashuri”, sepse ne na rrëmben kaq shumë rutina sa humbasim kuriozitetin për ta njohur ndryshe partnerin, për të njohur ndryshimet.
Elton Saraseli: Po kur ti ke 10 vjet, çfarë do t’i njohësh se ti e ke njohur në shumë situata të ndryshme?
Almeida Xhaferi: Ti sot nuk je ai që ke qenë para 10 viteve, ti ke ndryshuar në këto 10 vite dhe nëse partnerja ty të qaset me ndjesinë që të njeh në bërthamë, ka humbur shumë detaje nga përditshmëria jote që ty të kanë ndryshuar, që ty të kanë dhënë ndjesi të reja dhe ne duhet ta ruajmë këtë kuriozitet në çift, mos të shkojmë ta hamë drekën tek i njëjti restorant, mos të shkojmë ta pimë kafen e mëngjesit, mos ta bëjmë shëtitjen tek e njëjta rrugë, ka gjëra të vogla që ne mund t’i bëjmë ndryshe në përditshmërinë tonë. Ta pyesim në darkë çfarë ndjesie të re pati dita jote, çfarë ka ndryshuar tek ty pas kësaj ndodhie që të ka ndodhur? Të gjitha këto e mbajnë kuriozitetin të aktivizuar./tvklan.al