Në mars Partia Socialdemokrate zgjodhi me eufori, Martin Schulzin, kandidatin e saj për kancelar. Por pas së përpjetës dehëse, filloi shpejt e tatëpjeta në sondazhe. Të dielën socialdemokratët vendosin për programin.
Dy konferenca të socialdemokratëve – dy botë të ndryshme që ndahen me vetëm tre muaj nga njëra-tjetra. Zgjedhja e Martin Schulz si kandidat për kancelar në Berlin më 19 mars dhe miratimi i programit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të shtatorit që miratohen këtë dielë (25.06) në Dortmund. Në mars delegatët e dhanë 100% votën për Martin Schulz, një unitet i paparë tek socialdemokratët.
Schulz u quajt “shpëtimtari”, në kohën e zgjedhjes së tij si kandidat i SPD-së për kancelar, Partia u ngrit nga 20% në 30% në sondazhe, për pak kohë madje kaloi edhe CDU-në. Një triumf i madh. Por pas kësaj euforie erdhi rënia. Në tre zgjedhje në lande SPD-ja dështoi, edhe vlerat në sondazhe ranë, si në kohën kur kryetar partie ishte Sigmar Gabriel.
Nuk ka kohë për diskutime parimore
Çfarë nuk po shkon mirë brenda socialdemokratëve? Për përgjigjen e kësaj pyetjeje partia nuk ka kohë, tani tre muaj para zgjedhjeve. Në vend të kësaj socialdemokratët duan të përqëndrohen tek përmbajtja. “E kemi vrarë mendjen më shumë për temat aktuale”, thotë ministrja e Mjedisit, Barbara Hendricks. “Programi i qeverisë”-programi i fushatës socialdemokrate mban titullin “Koha për më shumë drejtësi”. Të dielën 600 delegatë e japin miratimin e tyre për këtë program. Ministrja e Punës, Andrea Nahles pret një “sinjal të guximit për të luftuar dhe përqëndrimit”. Socialdemokratët nuk duan të përqëndrohen tek shou me balona dhe entuziazmi. Ata duan të tregojnë vendosmëri dhe të krijojnë idenë e një partie që punon.
Drejtësia sociale ka prioritet
Në program ka edhe tema të kontestuara si tatimet. Sipas vullnetit të kreut të partisë, Martin Schulz duhet të lehtësohen në tatime të ardhurat e vogla e të mesme e të rritet tatimi për të ardhurat e larta. Të ardhurat nga puna dhe kapitali duhet të tatohen njësoj, të ardhurat nga trashëgimia duhet po ashtu të tatohen më shumë.
SPD kërkon që të kthehet tek rrënjët e saj, e të perceptohet sërish si partia e drejtësisë sociale. Sipas Martin Schulz duhet të tregojmë më shumë vëmendje për ata “që e mbajnë këtë vend në këmbë”. Sipas Schulz njerëzit me të ardhura të ulëta e të mesme kanë ndjesinë, se askush nuk kujdeset për problemet e tyre. “Politikisht ky është një rrezik i madh, sepse në këtë vakuum ndjesish futen ata që përdorin urrejtjen, populistët që gjejnë për gjithçka fajtorin por jo një zgjidhje.”/DW