Partia Socialiste ka dorëzuar të premten ankimimin ndaj ligjit të lustracionit në Gjykatë Kushtetuese me firmat e rreth 35 deputetëve të opozitës.

Ankimimi u dorëzua nga sekretari i çështjeve ligjore në selinë rozë Fatmir Xhafa në të njëjtën ditë që përkon me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Pikat kryesore të kundërshtimit lidhen me mënyrën e shkarkimit të zyrtarëve në organet kushtetuese siç janë gjykatësit apo prokurorët, si dhe mënyra e funksionimit të Autoritetit të Kontrollit të Figurave.

Sipas Partisë Socialiste ky autoritet merr kompetenca të një organi gjyqësor gjë që përbën sipas saj shkelje të kushtetutës.

Fatmir Xhafa: “Është në detyrimin kushtetues të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të marrin pjesë në gjykimin e kësaj çështje. Çdo largim nga gjykimi i kësaj çështje është me pasoja për vetë gjyqtarin kushtetues. Me këtë ligj janë shkelur jo pak, por si në asnjë rast tjetër 28 të paktën, 28 nene të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Është i pafalshëm ky lloj brutaliteti i mazhorancës ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe reflektimi më i mirë i saj do të thotë që ajo duhet të heshti dhe të presë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.”

Vendimi i Partisë Socialiste për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese u sulmua ashpër nga mazhoranca nëpërmjet zëdhënësit të grupit kuvendor demokrat, Aldo Bumçi.

Në qendër të akuzave të Partisë Demokratike ishte kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Aldo Bumçi: “Edi Rama mesa duket është skllav i implikimit familjar, të cilin ne jemi të detyruar t’ia bëjmë publikut shqiptar transparent dosje për dosje se çfarë përfaqëson në fakt ai si pinjoll i një prej trashëgimive më kriminale të regjimit të shkuar. Mazhoranca po kërkon në mënyrë shumë të qytetëruar që të ndajë Shqipërinë nga e kaluara e saj e errët nën diktaturë, por kryetari i Partisë Socialiste për shkak të lidhjeve të vjetra po e mban peng të gjithë opozitën duke marrë kështu përsipër krimet monstruoze kundër njerëzimit, të cilat në asnjë rast dhe rrethanë nuk mund të parashkruhen.”

Në krah të socialistëve është rreshtuar dhe Partia Socialdemokrate.

Skënder Gjinushi: “Një presion i dështuar është tregon pikërisht çoroditjen e shumicës. Berisha kështu i mbyll gjithmonë qeverisjet e veta në luftë me institucionet. Si Don Kishoti, gjithmonë ngelet i vetëm, gjithmonë prishet në fund dhe me Amerikën edhe me Evropën për të mbrojtur korrupsionin e vet”.

Pikë e fortë e përplasjes politike është dhe pretendimi i mazhorancës se gjykata kushtetuese nuk mund të marrë nën shqyrtim ligjin pasi ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit për shkak se gjyqtarët gjithashtu janë subjekte të hetimit.

Opozita në anën tjetër në ankimimin e saj ka ofruar një argumentim ligjor për të treguar se gjykata nuk ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi