Akuzat e ndërsjella mes kryetarit të Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi dhe zëvendësi i tij, njëkohësisht rival për kreun e partisë Gaqo Apostoli, kanë vazhduar edhe në konferencën e 9-të në qarkun e Tiranës. Njerëzit duhet të konkurrojnë me votat që marrin në popull dhe jo në sallë ka thënë Gjinushi duke theksuar se ne nuk na duhet një anëtar/një votë, por një anëtar që ofron 10 vota partisë. Nuk duhet harruar, ka thënë Gjinushi, se kush luan me themelet na zë të gjithëve brenda. Rivali i Gjinushit në parti, Apostoli është distancuar nga deklarimet e atij që ai e ka quajtur rregullisht kryetari juaj duke thënë se në lidershipin e partisë ka probleme serioze.
Gaqo Apostoli: “Më thonë servil, por jam rebel, jam kritik, kjo është natyra ime natyrisht jam zëvendëskryetari i partisë, por dje me zor gjeta mandatin, më dhanë mandantin e fundit të një konference dhe këtë e konsideroj presion, është një diabolizëm politik dhe partia në këtë drejtim ka probleme, jo PSD-ja e rrethit të Tiranës që mbledh vota për partinë, por në lidershipin e partisë ka probleme dhe problemet janë serioze.”
Përgjigjja e Gjinushit nuk ka vonuar kur ka thënë se kjo është një krizë e personit dhe jo krizë e partisë dhe se të penduarit gjithmonë rikthehen.
Skënder Gjinushi: “Të gjithë ne që jemi këtu kemi folur po njësoj. Kemi pranuar që PSD-ja, jo vetëm ka demokraci të brendshme, por PSD-ja nuk njeh përjashtim, madje në këtë periudhë kur dikush është shqetësuar për demokracinë, janë rikthyer ata që ikën me PSD-në.”
Edhe në konferencën e qarkut të Tiranës socialdemokratët kanë rizgjedhur në krye kandidaturën e vetme të paraqitur zotin Pajtim Bello. /tvklan.al