Kërkesa e Serbisë për të më arrestuar erdhi me qëllim që të prishë imazhin e Kosovës pas një prezantimi të suksesshëm dhe dinjitoz të saj si shtet i ri.
Kështu tha ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, një ditë pas kthimit nga Kartagjena e Kolumbisë ku u përball me një përvojë të pakëndshme pasi Beogradi insistoi që autoritetet e atjeshme ta arrestojnë atë.
Agim Çeku: “Autoritetet kolumbiane më kanë thënë që kërkesa e Serbisë nuk i bën përshtypje aspak dhe unë mund të vazhdoj me agjendën time ashtu siç e kam pas, por kur ka ardhur dhe kërkesa e Interpolit atëherë e kanë pa që jam shqetësuar dhe kanë kërkuar që unë të largohem sa më shpejt brenda 24 orëve nga Kolumbia.”
Çeku sqaroi arsyet e vizitës në Kolumbi si ish komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke folur si për pritjen ashtu edhe për incidentin me të cilin sipas tij vendi nikoqir ka qenë nën presion shumë të madh.
Agim Çeku: “Qeveria kolumbiane më kanë ftuar, kam qenë i ftuari i tyre, më kanë trajtuar mirë dhe të gjithë kohën më ka ardhur keq pse kjo ka ndodhur, por për shkak të një respekti, për shkak të një bashkëpunimi me Interpolin kanë qenë të detyruar ta marrin këtë vendim”.
Ai falënderoi qeverinë e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë për interesin që kanë treguar ndaj rastit të tij, por kërkoi nga ata që t’i sqarojnë më mirë gjërat me Interpolin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos kenë telashe në të ardhmen me fletë arreste të Serbisë./tvklan.al