Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane Philip Reeker, ka thënë se është zhgënjyese që as pas më shumë se një dekade pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, gjërat nuk kanë lëvizur.
“Ne patëm sukses kur u arrit Marrëveshja e Brukselit dhjetë vite më parë. Është e habitshme të shohësh se më shumë se një dekadë më vonë, gjërat nuk kanë lëvizur shumë. Dhe kjo është zhgënjyese. Mendoj se do të ishte mirë nëse të gjithë, jo vetëm në rajon, por në të gjithë Evropën, të kuptonin se është koha për të ecur përpara. Keni tashmë më shumë marrëveshje në dialog. Mendoj se është koha për të kaluar nga këto konflikte të stërzgjatura,” tha Reeker.
Diplomati amerikan është pyetur edhe lidhur me spekulimet se Trump mund të shkurtojë shpenzimet e NATO-s dhe nëse kjo do të ndikojë në largimin e KFOR-it në Kosovë.
“KFOR-i ishte një mjet shumë efektiv që u krijua me mbështetjen amerikane, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen amerikane deri më sot. Duhet të dëgjoni se çfarë tha presidenti i zgjedhur Trump, gjatë fushatës së tij. Ai dëshiron që të reduktojë dislokimin e trupave amerikane jashtë vendit. Nuk mund të parashikoj saktësisht se si do të rishikohet pasi vendimet do të merren në kohë, padyshim në konsultim me Kongresin, dhe jam i sigurt edhe me aleatët. Duhet që të kujtojmë se sa kanë kaluar, 25 vjet nga lufta në Kosovë dhe më shumë se një dekadë që nga dialogu që solli marrëveshjen e Brukselit. Pra, është koha për të vazhduar me këto procese“, shtoi Reeker.
Klan News