Lajme Arkiva 2004

Është dita e dytë që vijmë në Ministrinë e Arsimit për të marrë një shpjegim për abuzimet  në tenderat  zhvilluar në vitin  2003 për rikonstruktimin e disa  shkollave në rrethe të ndryshme të vendit, por të  komunikosh me një drejtor në këtë ministri është edhe më e vështirë së të flasësh me vetë shefin e qeverisë.

Sipas një raporti të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Arsimit ka bërë shkelje të rënda në tenderat e zhvilluar në vitin 2003, për rikonstruktimin e disa shkollave  në Elbasan, Vlorë, Korçë, Tiranë, etj. Sipas këtij raporti  i cili do të publikohet në formën e një buletini vetëm në muajin korrik, tenderat e  zhvilluar nga kjo ministri i kanë shkaktuar shtetit me miliona lekë humbje.

Për tenderin e zhvilluar  për rikonstruktimin e shkollës së mesme të muzikës në Elbasan  janë   shpërdoruar rreth 7 milionë lekë nga buxheti i shtetit, në tenderin e  zhvilluar për rindërtimin e kësaj shkolle janë vënë re shkelje të rënda të dispozitave ligjore, si rritje vlerës së ofertës së fituesit, si dhe shpallja fituese  e firmave të cilat kanë pamatur mangësira në dokumentacion.

Për tenderin e zhvilluar për rikonstruktimin e shkollës së mesme tregtare në  Vlorë, nga shkeljet e rënda të vërejtura në tender, shteti ka humbur rreth 11 milionë lekë, ndërkohë që shkeljet e rënda  gjatë procedurave të zhvillimit të tenderave janë vërejtur dhe renditur në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit edhe për rikonstruktimin e  çerdheve, shkollave të mesme dhe 8-vjeçare në rrethe të ndryshme të vendit, megjithëse mbi  ministrinë e arsimit, rëndojnë akuza të rënda për abuzime, asnjë nga titullarët e saj nuk pranon të bëjë një sqarim publik./tvklan.al