Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit paraprak për tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në pesë qarqe të vendit. Sipas njoftimit zyrtar të institucionit, Komisioni i Konkurrencës, pranoi propozimin e sekretariatit për hapjen e hetimit paraprak në këtë treg për qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.
Vendimi erdhi pas përfundimit të procedurës së monitorimit në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve.
Nga monitorimi rezultoi se, duke iu referuar strukturës së tregut, në Tiranë grumbulluesit i rritën çmimet me 11-55% nga blerja tek fermeri deri tek shitja me shumicë. Ndërsa në Fier çmimet nga fermeri deri tek pikat e shumicës u shtrenjtuan me 11-50%, në Elbasan shtrenjtimi i fruta-perimeve nga grumbulluesit te fermeri për tek shumica ishte nga 7-56%.
Me tej Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se grumbulluesit e Korçës abuzuan me çmimet e fruta-perimeve dhe i rritën nga 17-40%, ndërsa në Berat grumbulluesit mblidhnin produktin pa fatura tek fermerët duke deklaruar çmime jo reale.
Hetimi paraprak i Autoritetit të Konkurrencës përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024.
Klan News