Nëse je një njeri që reagon më shumë se ç’duhet ose nxitohesh, është e kuptueshme. Ti mund të mendosh se një situatë e dhimbshme apo stresuese tejkalohet duke u munduar ta marrësh nën kontroll në këtë mënyrë. Por sipas ekspertëve, kjo metodë nuk i shërben aspak për mirë shëndetit tuaj mendor. Madje sjell më shumë stres, konfuzion, drama e kaos. Është sikur e përjeton të njëjtën gjë dy herë…
E gjen veten shumë shpesh të irrituar? Në këtë pikë, duhet bërë një ndryshim pasi paqja shpirtërore sidomos në kohët që po jetojmë, duhet trajtuar me prioritet. Mjafton të ndiqni disa këshilla herë pas here, derisa kjo gjë t’ju kthehet në rutinë.
Meditimi i përditshëm
Shumë mendime për një situatë të vetme mund të “veniten” nëse çdo ditë praktikon meditimin. Të njëjtin efekt tek ju mund të ketë edhe ecja, por duhet ta bëni sa më shpesh. Lënia e trupit pasiv sjell jo vetëm probleme shëndetësore, por edhe ju bën më pesimistë.
Pyet veten “A duhet vërtet të më interesojë kaq shumë?”
Po, shumë e thjeshtë! Bëjani vetes fiks këtë pyetje dhe patjetër do e dini përgjigjen. E nëse sadopak keni paqartësi, pyesni veten “a e kam kohën dhe hapësirën e duhur në këtë moment që të rimendoj këtë situatë?”
Në Shqipëri e themi shpesh: “Hutova veten duke u marrë me këtë gjë…”
Nëse keni një shqetësim që nuk zhduket dhe që ju ka bërë konfuz/e, dëgjoni një podcast për atë temë ose të ngjashme me të, mbase do kuptoni se e keni “bërë qimen tra” vetëm duke e shtjelluar gjënë në trurin tuaj. Gatimi ose kërcimi janë po rezultative për mirëqenien tuaj mendore. Bëni gjithçka që ta shpërqendroni vëmendjen tuaj nga gjëra që ju e kuptoni se nxjerrin më të keqen prej jush.
Gjeni “burimin” e pakënaqësisë ose acarimit
Ju reagoni ashpër se është bërë zakon apo se jeni: të uritur, të lodhur, të frustruar, të sëmurë apo shqetësuar? Është shumë e rëndësishme që të kuptoni se në çfarë gjendje emocionale jeni dhe faktorët që e shkaktojnë. Në rast se ndiheni nga sa kemi shkruar më sipër, atëherë sugjerohet të mos përfshiheni në debate apo diskutime.
Shkruaj…
Njëjtë siç shkruanim në ditar dikur, që ca momente t’i ruanim për tërë jetën, tani ka ardhur momenti të shkruash për t’u ndjerë më mirë. Është si terapi, ti lëshon gjithë mendimet e tua në një copë letër dhe “barra” e problemeve zhduket menjëherë.
Bëni pauza
Patjetër që jo gjithmonë duhet të shtireni se gjithçka është në rregull, kur të tjerët e kanë gabim. Por konsidero të injorosh diçka që të bezdis duke bërë një pauzë qoftë edhe 5 minuta. Do bëjë diferencën! Pra merr kohë, në vend që të përgjigjesh menjëherë. Asgjë nuk vlen më shumë se paqja juaj!
E së fundmi, duhet theksuar se nuk ka asgjë të keqe nëse nuk ndiheni mirë. Janë faza që preken nga të gjithë, por kujdesi ndaj vetes dhe paqes së brendshme është proces jetik.
/tvklan.al